Radhë të gjata janë krijuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku udhëtarët raportojnë pritje që shkojnë nga 1 deri në 2 orë për të kaluar drejt Greqisë.
Sipas udhëtarëve, vonesat lidhen me procedurat e kryera nga pala greke, e cila prej rreth tre muajsh ka nisur aplikimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve në Bashkimin Europian. Ky sistem ka shtuar kontrollet në kufi, duke bërë që procesi i verifikimit të dokumenteve të zgjasë më shumë.
Nga ky sistem përjashtim bëjnë vetëm personat që disponojnë dokumente greke, për të cilët procedurat janë më të shpejta. Ndërsa për qytetarët shqiptarë dhe shtetasit e tjerë të huaj, kontrollet kryhen më të detajuara, çka ka sjellë krijimin e radhëve dhe pritjeve të gjata në këtë pikë kufitare.










