Qyteti që mban rekord per pastrimin e parave ne Shqiperi

Qyteti që mban rekord per pastrimin e parave ne Shqiperi

94
SHPËRNDAJE

Numri i procedimeve penale të prokurorisë për veprën penale të pastrimit të parave pësoi rënie vitin e kaluar. Sipas raportit vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm, për vitin e kaluar numri i procedimeve të regjistruara për vepra penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale pësoi rënie me 35%, duke zbritur në 158, nga 244 të regjistruara një vit më parë.

Koeficienti i kriminalitetit për 100 000 banorë për këtë grup veprash në vitin 2023 zbriti në 5,72, ndërsa në vitin 2022 ka qenë 8,73. Gjithashtu, në krahasim me vitin 2022 pati ulje të procedimeve të dërguara në gjykatë nga 27 në 14. Rënie pësoi edhe numri i të pandehurve të regjistruar, nga 40 në 15, numri i të pandehurve të cilët janë dërguar në gjykatë (nga 43 në 27) dhe numri i të pandehurve të dënuar nga gjykata (nga 31 në 22). Sipas shpërndarjes gjeografike, qarqet me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara për veprat penale të pastrimit të parave janë Tirana, me 25% të totalit, e ndjekur nga Vlora, me 20%, Lezha, me 11% dhe Fieri, me 10%.

Veprat penale të përfshira në këtë grup në masën dërrmuese dominohen nga vepra penale e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Numri i procedimeve për këtë vepër penale gjatë vitit të kaluar arriti nivelin më të ulët në pesë vitet e fundit. Shifrat që raporton Prokuroria për procedimet penale nuk i përgjigjen perceptimit se pastrimi i parave nga aktivitete të jashtëligjshme vazhdon të jetë një fenomen shumë i përhapur në ekonominë shqiptare.

Ndërkohë që kërkesat për justifikimin e burimit të parave që hyjnë në sektorin bankar janë bërë gjithnjë e më të forta, është sidomos sektori i pasurive të paluajtshme vlerësohet se thith investime të mëdha që kanë burim të dyshimtë. Vlerësohet se këto fonde kanë mbështetur në një masë të konsiderueshme ciklin e ri të zhvillimit të këtij sektori, në vitet pas pandemisë. Megjithatë, numri i procedimeve penale të prokurorisë pësoi rënie për të dytin vit radhazi vitin e kaluar, fakt që vë në dyshim angazhimin e zinxhirit të institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër pastrimit të parave. Në tetor të vitit të kaluar, Shqipëria doli nga statusi i monitorimit të shtuar i Task Forcës për Veprimin Financiar (FATF) ose e ashtuquajtura “lista gri” e pastrimit të parave. Përveç efektit pozitiv reputacional, dalja nga lista gri ndikon pozitivisht kryerjen e transaksioneve në sistemin financiar, sidomos të atyre ndërkombëtare. /Monitor

S'KA KOMENTE