Qytetarja ruse merr shtetësinë shqiptare, Stevlena Kola bëhet banorja më e re e Roskovecit.

Një qytetare me origjinë ruse është bërë zyrtarisht banorja më e re e Bashkisë Roskovec, pasi ka marrë shtetësinë shqiptare dhe është regjistruar si rezidente në këtë bashki.

Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, i dorezoi certifikatën e regjistrimit si banore e Bashkisë Roskovec për Stevlena Aleksandër Kola, duke i uruar mirëseardhjen në komunitetin e Roskovecit dhe duke e shoqëruar këtë moment me një mesazh urimi.

“Urime Stevlena Aleksandër Kola, qytetarja me origjinë ruse që sapo ka marrë shtetësinë shqiptare dhe është banorja më e re e bashkisë sonë.

Të urojmë mbarësi, shëndet dhe suksese në këtë kapitull të ri të jetës. Urojmë që Shqipëria të bëhet për ty një vend i dashur, i mbushur me mundësi, miqësi dhe krenari qytetare.

Mirë se erdhe në familjen shqiptare, me respekt për Kushtetutën dhe vlerat që na bashkojnë”, shprehet kryebashkiakja Bufi në mesazhin e saj.