Ballina Shendeti Qindra shpendë ng*rdhin në fshatin Kraps në Fier

Qindra shpendë ng*rdhin në fshatin Kraps në Fier

Alarm në Kraps të Fierit -Ngordhje masive shpendësh, dyshime për gripin e shpendëve dhe ndotje të rëndë mjedisore

Një situatë tepër shqetësuese është regjistruar në fshatin Kraps, në njësinë administrative Portëz, bashkia Fier, ku qindra krerë pula deti dhe shpendë shtëpiakë kanë ngordhur brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe. Ngjarja ka ngritur dyshime serioze për përhapjen e gripit të shpendëve ose sëmundjeve të tjera infektive.

Sipas banorëve, ngordhja masive ka ndodhur papritur, ndërsa shpendët kanë shfaqur simptoma të rënda si dobësi ekstreme, mungesë ushqimi dhe vështirësi në frymëmarrje përpara se të ngordhnin. Frika për përhapjen e sëmundjes është e madhe, jo vetëm për fermat përreth, por edhe për shëndetin publik.

Situata rëndohet edhe më tej nga mënyra e trajtimit të shpendëve të ngordhur. Banorët denoncojnë se, krahas groposjes së një pjese të tyre, dhjetëra trupa shpendësh po hidhen në lumin Gjanicë, duke shkaktuar një ndotje të rëndë mjedisore.

Lumi Gjanicë përshkon disa zona të banuara dhe bujqësore, kalon nëpër qytetin e Fierit dhe derdhet në det, çka rrit rrezikun e përhapjes së ndotjes dhe të agjentëve infektivë në një territor shumë më të gjerë.

Banorët shprehen të revoltuar dhe të braktisur nga institucionet, pasi deri më tani, sipas tyre, asnjë përfaqësues i autoriteteve të bujqësisë, shërbimit veterinar apo strukturave përgjegjëse nuk ka shkuar në terren për verifikim, marrje mostrash apo vendosje të masave të karantinës.

Situata kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për të përcaktuar shkakun e ngordhjes masive, për të parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjeve dhe për të shmangur një katastrofë mjedisore. Çdo vonesë në reagim rrezikon ta kthejë këtë rast në një krizë serioze për gjithë zonën e Fierit dhe më gjerë.