Qindra hektarë tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme janë përmbytur mëngjesin e sotëm në fshatin Murqinë të Krujës, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura gjatë 24 orëve të fundit.
Lagjja fundore e fshatit, që lidh zonën me pjesën tjetër të territorit, është aktualisht e izoluar. Rruga është mbuluar nga uji, i cili në disa pika arrin deri në 40 cm, duke e bërë të kalueshme vetëm me mjete të larta.
Deri tani nuk raportohet për problematika të tjera në banesa apo në infrastrukturë, por situata mbetet e paqëndrueshme. Nëse reshjet vijojnë me intensitet dhe prurjet e lumit nga Tirana rriten, ekziston mundësia që gjendja të përkeqësohet.











