Qeveria shqiptare ka miratuar një masë të re fiskale për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Përmes një akti normativ, është vendosur ulja me 20% e akcizës për naftën dhe benzinën, në raste të caktuara kur çmimet kapërcejnë nivele të përcaktuara.
Sipas vendimit, reduktimi i akcizës do të aplikohet në momentin kur çmimi me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, tejkalon 220 lekë për litër për naftën dhe 200 lekë për litër për benzinën.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se kjo ndërhyrje është pjesë e angazhimit të qeverisë për të reaguar ndaj situatave të jashtëzakonshme, duke iu referuar edhe zhvillimeve të fundit ndërkombëtare që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës.
Autoritetet bëjnë me dije se akti normativ do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare. Sipas qeverisë, masa synon të lehtësojë barrën për qytetarët dhe bizneset, duke ruajtur njëkohësisht balancat buxhetore në këtë periudhë sfiduese.










