Pas publikimit të disa pamjeve në portalin “JOQ”, ku shfaqet momenti kur një qen qëllohet me armë gjahu, Policia e Fierit ka reaguar menjëherë duke kryer veprimet e nevojshme procedurale për identifikimin e autorit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë të mundur shoqërimin e shtetasit të dyshuar Nj. L., 67 vjeç, banues në fshatin Kafaraj. Ky shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu nga ambientet e banesës së tij, në drejtim të një kafshe shtëpiake (qen), duke e lënë të ngordhur.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj 67-vjeçarit është nisur procedimi penal për veprën penale “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon median dhe qytetarët për denoncimin e këtij rasti dhe u bën thirrje të gjithëve që të vazhdojnë të raportojnë akte të dhunës ndaj kafshëve, si një formë e rëndësishme e kontributit në mbrojtjen e jetës së tyre.