Ballina Shqiperia ime Punonjësit e naftes se “BANKERS” neser ne grevë, përplasje me kompanine për...

Punonjësit e naftes se “BANKERS” neser ne grevë, përplasje me kompanine për pagat

Sindikata e Sektorit të Hidrokarbur ka njoftuar sot zhvillimin e një greve të përgjithshme pas dështimit të negociatave me kompaninë “Bankers Petroleum Albania” për çështjen e pagave, të përcaktuara në pikën 9 të nenit 23 të Kontratës Kolektive të Punës.

Në njoftimin zyrtar, sindikata thekson se vendimi për grevë është marrë në përputhje me Kodin e Punës dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që garanton të drejtën e punonjësve për veprime sindikale.

Greva do të zhvillohet në dy faza:

  • Më 15 tetor 2025, nga ora 07:00 deri në 10:00;
  • Nga 16 tetori 2025, duke filluar në orën 07:00 dhe pa afat, deri në realizimin e marrëveshjes.
  • Vendi i zhvillimit:

Në ambientet e punës, përpara zyrave të shoqërisë në Marinëz.

Gjithashtu, Kryesia dhe anëtarët e Këshillit Sindikal kanë vendosur të hyjnë në grevë urie që prej 15 tetorit, ora 10:00, deri në zgjidhjen e konfliktit.

Në deklaratë theksohet se protesta do të jetë paqësore dhe ligjore, pa dëmtuar pronën apo procesin teknik të punës, ndërsa qëllimi mbetet zbatimi i marrëveshjes kolektive dhe rritja e pagave.

Sindikata apelon për dialog të hapur dhe zgjidhje të drejtë të konfliktit, duke theksuar se mbetet e gatshme për bisedime në çdo moment.

“Ne do t’ia dalim! Bashkë jemi më të fortë!” – përfundon njoftimi i sindikatës.