Sindikatа e Sektorit Hidrokarbur ka njoftuar zyrtarisht zhvillimin e një greve të përgjithshme për shkak të mosarritjes së marrëveshjes për pagat, në përputhje me Kodin e Punës dhe nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit, greva do të zhvillohet në dy faza:
- më 15 tetor 2025, nga ora 07:00 deri në 10:00,
- dhe më 16 tetor 2025, duke filluar nga ora 07:00, pa afat – deri në realizimin e marrëveshjes për pagat.
Vendi i zhvillimit të grevës do të jetë përpara zyrave të shoqërisë në Marinëz, ku punonjësit do të ndalojnë punën në mënyrë të organizuar dhe paqësore.
Ndërkohë, Këshilli Sindikal ka vendosur që Kryesia dhe anëtarët e tij të hyjnë në grevë urie që nga data 15 tetor, ora 10:00, si formë presioni për zgjidhjen e konfliktit kolektiv.
Në deklaratë theksohet se greva do të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe ligjore, pa dëmtuar procesin teknik apo pronën, dhe se qëllimi kryesor mbetet respektimi i Kontratës Kolektive të Punës dhe përmirësimi i kushteve ekonomike të punonjësve.
“Ne do t’ia dalim! Bashkë jemi më të fortë!” – përfundon deklarata e Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, e cila mbetet e hapur për dialog në çdo moment.