Tensionet mes punonjësve dhe kompanisë “Bankers Petroleum” kanë arritur kulmin. Sindikata e Punonjësve ka njoftuar se nesër, në orën 07:00, të gjithë punonjësit do të pezullojnë punën, duke nisur grevën e përgjithshme përballë zyrave të kompanisë në Marinëz.
Vendimi vjen pas dështimit të negociatave me kompaninë, që sipas Sindikatës, ka refuzuar të pranojë kërkesat për rritjen e fondit të përgjithshëm të pagave me 9% dhe për uljen e pabarazisë mes pagave të larta dhe të ulëta.
Në njoftimin publik, Sindikata akuzon kompaninë se po përpiqet të manipulojë opinionin dhe të përçajë punonjësit, duke përhapur pretendime të pavërteta rreth një “rritjeje për disa individë”.
“Kërkesa jonë është e qartë: rritje e fondit total të pagave dhe shpërndarje e drejtë për punonjësit me paga të ulëta. Nuk kërkojmë përfitime për ata që marrin mijëra euro, por dinjitet për ata që mbajnë mbi shpinë punën më të rëndë,” – thuhet në deklaratën e Sindikatës.
Përfaqësuesit sindikalë paralajmërojnë se, nëse kërkesat nuk merren parasysh, pas pezullimit të punës do të ndërmerret greva e urisë, si formë e fundit e protestës.
“Kauza jonë është e drejtë dhe e ligjshme. Nëse nuk dëgjohen zërat tanë, do të vijojmë me grevë urie, derisa të realizohen kërkesat për paga dinjitoze dhe barazi,” – thuhet në njoftim.
Sipas Sindikatës, oferta e kompanisë për 4200 lekë shtesë në muaj për dietën ushqimore është konsideruar “fyese” dhe “larg realitetit të kostos së jetesës”.
Punonjësit shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa greva do të nisë nesër në mëngjes në Marinëz, ku pritet pjesëmarrje masive e punonjësve të sektorëve të ndryshëm.