Ballina Shqiperia ime Punësimi sipas sektorëve, Fieri kryeson në bujqësi

Punësimi sipas sektorëve, Fieri kryeson në bujqësi

Të dhënat eInstitutit të Statistikave (INSTAT) ofrojnë një panoramë të detajuar për shpërndarjen e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2024. Rezultatet tregojnë një ndarje të qartë të fuqisë punëtore mes bujqësisë, industrisë dhe shërbimeve, me dallime sipas qarqeve të vendit.

Në sektorin e bujqësisë janë të punësuar gjithsej rreth 432 mijë persona. Pagat në këtë sektor mbeten ndër më të ulëtat, duke lëvizur mes 40 dhe 50 mijë lekësh në muaj, çka pasqyron vështirësitë dhe natyrën sezonale të punës bujqësore. Nga ana e ndarjes gjeografike, qarku i Fierit mban kryesimin me rreth 75 mijë punëtorë, duke u ndjekur nga Elbasani dhe Berati, ndërsa Lezha ka numrin më të vogël të të punësuarve në këtë fushë.

Sektori i industrisë ka regjistruar një total prej 241 mijë punonjësish gjatë vitit 2024. Tirana zë vendin e parë me 93 mijë të punësuar, duke reflektuar zhvillimin e lartë të aktiviteteve prodhuese dhe ndërtimore në kryeqytet. Përveç Tiranës, Fieri dhe Durrësi shënojnë gjithashtu shifra të larta punësimi në këtë sektor, ndërsa më pak të punësuar numërohen në Dibër dhe Kukës. Sipas të dhënave të INSTAT, ky sektor ka pësuar rritjen më të madhe të punësimit krahasuar me vitin 2023, duke u bërë një ndër motorët kryesorë të shtimit të vendeve të punës.

Ndërkohë, sektori i shërbimeve përfaqëson pjesën më të madhe të tregut të punës në vend, me një total prej 503 mijë të punësuarish. Tirana vijon të mbajë rolin kryesor, falë përqendrimit të aktiviteteve ekonomike dhe administratës, e ndjekur nga Durrësi dhe Elbasani. Kjo strukturë punësimi pasqyron faktin se shërbimet janë segmenti dominues i ekonomisë shqiptare, që përthith pjesën më të madhe të fuqisë punëtore.