Një analizë e re globale e Bankës Botërore mbi ndikimin e klimës në punësim tregon se tregu shqiptar i punës pritet të mbetet i pandryshuar deri në vitin 2030. Sipas raportit, ekonomia shqiptare nuk po krijon vende të reja pune me ritmin e nevojshëm, duke u ndikuar nga plakja e popullsisë, niveli i lartë i emigracionit dhe produktiviteti i ngadalësuar.
Punësimi “ngrirë” deri në 2030
Raporti evidenton se sfidat strukturore të ekonomisë e bëjnë tregun e punës të brishtë, duke e ekspozuar jo vetëm ndaj krizave, por edhe ndaj reformave të papërfunduara. Me ritmet aktuale, punësimi pritet të mos rritet ndjeshëm përgjatë viteve të ardhshme.
Rënie e pagave reale dhe presione sociale
Banka Botërore projekton një rënie prej -0.1% të të ardhurave reale nga puna deri në vitin 2030. Pagat pritet të rriten më ngadalë se nevojat e tregut, duke thelluar presionet sociale dhe duke nxitur më tej emigracionin. Sektorët me vlerë të shtuar të ulët dhe informaliteti i lartë identifikohen si faktorët kryesorë që frenojnë rritjen e të ardhurave familjare.
Shqipëria: Ekspozim mesatar, por pa rritje të qëndrueshme
Në krahasim me vendet me nivel të ngjashëm zhvillimi, Shqipëria renditet në grupin me luhatje të moderuara ekonomike. Megjithatë, raporti vë në dukje se vendi nuk po arrin të gjenerojë fitime të reja produktiviteti apo të përfitojë nga reformat transformuese. Deri në vitin 2030, pritet një rritje e ngadaltë, pa kriza të mëdha, por edhe pa përmirësim të ndjeshëm të standardeve të jetesës.
Reformat që kërkon Banka Botërore
Për një vend me emigracion të lartë, raporti thekson se Shqipëria duhet të fokusohet në rritjen e produktivitetit të punës dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Banka Botërore rekomandon investime të thelluara në arsim, teknologji dhe programe të aftësimit profesional, si mënyra të vetme për të krijuar vende të reja pune të mirëpaguara dhe për të rikthyer dinamizmin ekonomik.











