Pse po zhvlerësohet euro?

Prej një kohe të gjatë tashmë, Leku vijon të jetë i fortë kundrejt monedhës europiane.  Por cilat janë arsyet e mbiçmimit të tij dhe si është luhatur ndër vite?

Referuar një analize të bërë nga ALTAX, të sjelljes së kursit të këmbimit në Shqipëri gjatë periudhës 2015–2025 tregon se marrëdhënia midis lekut dhe faktorëve makroekonomikë nuk është e njëtrajtshme në kohë dhe as simetrike në intensitet. Kursi nuk reagon njësoj në të gjitha situatat ekonomike, por shfaq sjellje të ndryshme në varësi të fazës së ciklit ekonomik, nivelit të presionit në treg dhe strukturës së flukseve valutore. Në këtë kuptim, lëvizjet e lekut nuk mund të interpretohen si rezultat i një mekanizmi të thjeshtë monetar, por si produkt i një strukture ekonomike të karakterizuar nga asimetri, euroizim, sezonalitet i theksuar dhe ndërhyrje selektive institucionale.

Një nga gjetjet më të qëndrueshme është se lekut i mungon një mekanizëm i qartë vetërregullues. Sipas analizës, në periudhat kur leku forcohet ndjeshëm, ai ka tendencë të mbetet i fortë për më gjatë sesa do të justifikohej nga fundamentet reale të ekonomisë.

Sipas analizës, flukset valutore nga turizmi dhe hyrjet e parave nga burime të ndryshme luajnë një rol kyç. Gjatë viteve të fundit, rritja e ndjeshme e numrit të turistëve dhe rritja e dërgesave nga emigrantët dhe burime të tjera kanë krijuar një tepricë strukturore euroje në treg, e cila nuk neutralizohet plotësisht nga kërkesa për importe apo investime. Kjo ka prodhuar një presion të vazhdueshëm drejt forcimit të lekut, veçanërisht në periudhat kur këto flukse janë në kulmin e tyre. E thënë ndryshe, ekonomia shqiptare është më e ndjeshme ndaj hyrjeve valutore se sa ndaj mungesës së tyre çka krijon një prirje strukturore drejt mbiçmimit të lekut.

Po ashtu, në analizë thuhet se inflacioni dhe normat e interesit ndikojnë vetëm kur kalojnë pragje të larta perceptimi, jo në kushtet “normale”. Ndërsa ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë janë efektive vetëm në situata ekstreme, jo si instrument i përditshëm stabilizimi.

Referuar analizës, ekonomia është thellësisht e euroizuar dhe ende Euro përdoret për ruajtje vlere, ndërsa leku mbetet kryesisht njësi kontabël. Ndërsa theksohet se forcimi i lekut ndihmon importet dhe inflacionin, por dëmton eksportet dhe prodhimin vendas.

Gjetjet sugjerojnë se kursi i këmbimit në Shqipëri nuk është thjesht rezultat i ofertës dhe kërkesës në tregun valutor, por pasqyrë e një arkitekture ekonomike të ndërtuar mbi euroizim, sezonalitet dhe pritje të paqëndrueshme.

Politikat monetare kanë rol të kufizuar dhe funksionojnë kryesisht në kushte ekstreme, ndërsa faktorët strukturorë dhe institucionalë mbeten determinantët realë të dinamikës së lekut.