Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, kishte planifikuar një mbledhje me deputetët socialistë dhe ministrat e kabinetit të tij në selinë rozë, por protesta e paralajmëruar përpara godinës duket se ka sjellë ndryshimin e planeve.
Protestuesit njoftuan gjatë protestës së djeshme se do të rikthehen sot në orën 17:30 përpara selisë së Partisë Socialiste, duke bërë thirrje që qytetarët të marrin me vete edhe vezë.
Pas këtij njoftimi, mbledhja e Ramës dhe drejtuesve socialistë nuk do të zhvillohet në selinë e PS-së. Takimi është zhvendosur në një tjetër pikë, konkretisht në rezidencën qeveritare pranë Fshatit SOS.
Kjo rezidencë, e cila ofron një hapësirë më të izoluar dhe më të kontrolluar, duket se është zgjedhur për t’i paraprirë çdo situate të mundshme gjatë kohës së protestës.
Kështu, nga selia rozë te rezidenca qeveritare, protesta e paralajmëruar me vezë duket se ka ndikuar në ndryshimin e axhendës së kryeministrit dhe mazhorancës.










