Protesta e opozitës, Balla mesazh deputetëve të PS: Mbledhje në 09:00

Pak orë para seancës plenare të së enjtes, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka dërguar një mesazh deputetëve socialistë lidhur me organizimin e mbledhjes së grupit parlamentar dhe mënyrën e hyrjes në Kuvend.

Në mesazhin e siguruar nga Euronews Albania, Balla njofton deputetët se mbledhja e grupit parlamentar do të zhvillohet në orën 09:00 në sallën e seancave plenare, duke u kërkuar të marrin masa për pjesëmarrjen.

Në mesazhin e tij thuhet:

“Mirëmbrëma. Siç ju njoftova në mbledhjen e Grupit, nesër ora 9:00 do të zhvillojmë një mbledhje Grupi në Sallën e Seancave në Parlament. Lutem merrni masa për pjesëmarrjen. Hyrja do të bëhet nga krahu i Qendrës Tregtare ‘Toptani’. Shihemi nesër.”

Seanca plenare e së enjtes pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pasi opozita ka paralajmëruar protestë jashtë ambienteve të Kuvendit.

Ndërkohë, në rendin e ditës të seancës është parashikuar edhe shqyrtimi i çështjes së imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një çështje që pritet të sjellë debat të fortë në sallën e Parlamentit.