Shpërdoruan detyrën dhe ushtruan ndikim të paligjshëmduke lejuar mos pagesën e plotë të taksave nga subjektet private, Prokuroria Fier jep masa sigurimi për 4 zyrtarë të bashkisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.68 të vitit 2025 për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Nga hetimet e deritanishme, ku janë përdorur edhe metodat speciale të hetimit, rezulton se:
• Personi nën hetim A.H., me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, duke shfrytëzuar pozicionin e saj, në pesë episode, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Drejtoresha e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë Fier, me qëllim që kjo e fundit të lëshonte vërtetime për pagesën e detyrimeve dhe përllogaritje të taksave e tarifave vendore nën vlerën e përcaktuar.
Gjithashtu, personi nën hetim A.H. nuk ka marrë masat e nevojshme për vendosjen e pajisjes fiskale në parkimet e Bashkisë Fier dhe si pasojë e mosveprimeve të saj, vlera e të ardhurave të krijuara për të cilat nuk është paguar asnjë tatim është 40.912.640 lekë dhe detyrimi tatimor i shmangur është i lartë.
• Personi nën hetim A.C. me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale, për subjekte të caktuara, vlera e të cilave ka ndryshuar pas ankesës së subjekteve, në disa raste duke u ulur tej parashikimeve të vendimeve të Këshilli Bashkiak Fier. Po ashtu, në funksion të detyrës, personi nën hetim nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve të cilat janë në administrimin e Bashkisë.
• Personi nën hetim M.D., me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek personi nën hetim A.C., me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për t’i ulur vlerën e detyrimeve që do të paguante më pas shtetasi A.M. subjekt privat.
• Personi nën hetim V.Ç. me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor Rajoni Jugor, me një urdhërin të nxjerrë prej tij në muajin maj të vitit 2024 ka detyruar inspektorët tatimorë të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pas kryerjes së kontrollit, personi nën hetim nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme. Rezulton gjithashtu se nga ana e personit nën hetim nuk është mbikëqyrur fushata sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër. Procedura e ndjekur në kontrollin e vitit 2024 bie ndesh me procedurën e ndjekur në vitin 2025.
Në vijim të veprimeve procedurale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkesën për caktimin e masave të sigurimit ndaj personave nën hetim A.H., A.C., M.D.,V.Ç.. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesat e Prokurorisë, duke vendosur:
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj personit nën hetim A.H. e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” dhe masën ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj personit nën hetim V.Ç., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj personit nën hetim A.C., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
– Caktimin e masës ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj personit nën hetim M.D. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.