Prokuroria e Përgjithshme mbledh drejtuesit e sistemit, kërkohet zgjidhje e shpejtë për bllokimin e pagave


Prokuroria e Përgjithshme zhvilloi këtë të martë një mbledhje të posaçme lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave të pagave të muajit gusht 2026 për magjistratët dhe administratën e sistemit të drejtësisë.

Në takimin e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm morën pjesë drejtues të prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Shoqatës së Prokurorëve. Gjatë diskutimeve u analizua në detaje situata e krijuar dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor e financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe në përputhje me ligjin, duke respektuar standardet kushtetuese të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, u theksua rëndësia e garantimit të vijimësisë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimit të të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.

Në përfundim të mbledhjes, palët ranë dakord që trajtimi i kësaj çështjeje të vijojë përmes instrumenteve ligjore, me synim garantimin e pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.