Ballina Shqiperia ime Prokuroria e Fierit -Zbardhen detaje nga dosja e skemes piramidale me kriptovaluta...

Prokuroria e Fierit -Zbardhen detaje nga dosja e skemes piramidale me kriptovaluta “XUEX”

Jane zbardhur detaje nga dosja hetimore e Prokurorise Fier për një nga skemat më të mëdha të mashtrimit me kriptovaluta në vend, ku janë përfshirë rreth 580 qytetarë nga Divjaka dhe zonat përreth. Skema, e cila operonte përmes platformës online të quajtur “XUEX”, funksiononte si një piramidë financiare, duke joshur qytetarët të investonin shuma të mëdha parash me premtimin e fitimeve të shpejta.

Sipas hetimit, organizatorë të saj ishin bashkëshortët Ereledio dhe Adiola Shebeku, të shpallur në kërkim, ndërsa 6 persona të tjerë u arrestuan. Përmes aplikacionit “Telegram”, Shebeku komunikonte me një person të prezantuar si “Leo Smith”, i dyshuar si shtetas britanik, i cili ftonte investitorët të depozitonin çdo ditë para në platformë.

Hetimi nisi falë agjentëve të infiltruar të policisë, të cilët arritën të siguronin prova konkrete. Fillimisht ata u afruan nga kamerieri i një lokali në Divjakë, Emanuel Taullau, i cili u shpjegoi se shuma minimale e investimit ishte 1,000 dollarë. Ai më pas i lidhi me Flavio Mukajn, koleg i tij, që menaxhonte grupet në “Telegram” ku regjistroheshin investitorët. Transferimi i parave u krye nga llogaria e Taullaut në platformën “XUEX”, veprim i cili u dokumentua nga policia.

Në këtë rrjet mashtrimi ishte përfshirë edhe Brunilda Stefan Ndini, e arrestuar nga policia, e cila kishte bindur familjarë dhe punonjës të Bashkisë Divjakë të investonin shuma deri në 5,000 dollarë. Ndërkohë, Arbër Çela, pronar i një lokali ku reklamohej platforma, u kap me shuma të konsiderueshme parash të sekuestruara gjatë kontrollit. Ai ka deklaruar se për skemën ishte informuar nga persona të njohur si Joana dhe “profesor Smith”.

Në total, qytetarët e mashtruar kanë humbur qindra mijëra dollarë. Prokuroria e Fierit ka nisur procedurat për gjurmimin e parave dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal, që përmes fasadës së tregtimit të kriptovalutave krijoi një prej skemave më të sofistikuara piramidale të viteve të fundit në Shqipëri.