Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka sekuestruar disa pasuri të një shtetasi të identifikuar me inicialet E.Sh., i cili po hetohet për disa vepra penale që lidhen me mashtrimin dhe pastrimin e parave.
Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë këtë të shtunë, ndaj shtetasit E.Sh. po zhvillohen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 1381, të regjistruar më 16 dhjetor 2021. Ai dyshohet se përmes një aktiviteti “Call Center” që ushtronte në qytetin e Fierit është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Nga hetimet ka rezultuar se në llogaritë bankare të tij janë depozituar shuma të konsiderueshme parash cash, të cilat nuk justifikojnë burim të ligjshëm. Sipas organit të akuzës, këto vlera monetare dyshohet se janë investuar më pas në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Prokuroria thekson se përmes veprimeve juridike është tentuar transferimi i këtyre pasurive me qëllim fshehjen e origjinës së tyre të paligjshme, element që përbën dyshim për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të këtij hetimi, ndaj personit nën hetim janë vendosur edhe masa sigurimi personal me karakter shtrëngues.
Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë dhe me vendim të gjykatës është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi dy prona në Fier:
- një njësi me sipërfaqe rreth 230 metra katrorë;
- një apartament me sipërfaqe rreth 100 metra katrorë.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe pasuri të tjera që mund të jenë përfituar nga aktiviteti i dyshuar kriminal.










