Ballina Shqiperia ime Prokuroria e Fierit sekuestron 5000m2 tokë arë të përfituar nëpërmjet dokumenteve të...

Prokuroria e Fierit sekuestron 5000m2 tokë arë të përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestroi 5000 m2 tokë e llojit ‘arë’, e dyshuar e përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. 

Në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.215, datë 28.02.2023, për veprën penale, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, i filluar mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, rezultoi se shtetasi D.F., me anë të dokumentit të falsifikuar “Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi”, ka përfituar 5000 m2 tokë arë, në fshatin Bishan, Fier, të cilën e ka regjistrur në vitin 2002. 

Më pas, në vitin 2010, mbi bazën e një plan relevimi dhe aplikimit të shtetasit D.F., është kryer ndarja pasurisë në dy pasuri të tjera, me sipërfaqe 4250 m2 dhe 750 m2.

Në funksion të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumenti i falsifikuar:

– Pasuri e paluajtshme llojit “are” me sipërfaqe 5000 m2, e ndarë në dy pasuri me sipërfaqe 4250 m2 dhe 750 m2, zona kadastrale 1192, fshatin Bishan, Levan, Fier. 

Prokuroria Fier mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar me prioritet veprën penale të pastrimit të produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminal, si dhe sekuestrimit/konfiskimit të produkteve të veprave penale.