Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni buxhetor me vlerën më të madhe të pagesave të transaksioneve për vitin 2025. Sipas të dhënave nga Open Data Albania ky institucion ka paguar gjatë vitit të kaluar, 35 125 569 541 lekë apo rreth 364 mln euro. Në krahasim me një vit më parë vlera e transaksioneve ka pësuar rritje me 55%, pasi për vitin 2024 transaksionet përllogariten në 15.96 mld lekë.
Ndërkaq, referuar tabelës së detajuar të shpenzimeve janë një sërë projektesh rrugore, që janë financuar gjatë vitit që sapo lamë pas. Një nga më të financuarit është ndërtimi i korridorit 8, për të cilin aktualisht punohet në 13 lote të ndryshme, 7 nga prej të cilëve nga Elbasani në Qafë Thanë dhe 6 të tjerë nga Elbasani, në drejtim të Rrogozhinës.
Një tjetër projekt i financuar gjatë vitit 2025 është edhe zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës, për 2 kontratat e fazës I dhe II. Paralelisht, transaksionet e thesarit tregojnë se edhe rruga Kombinat – Ndroq – Plepa, ku gjithashtu po punohet ka marrë financim gjatë vitit të kaluar.
Po ashtu, referuar të dhënave ndër kontratat më të paguara në 2025-ën janë ato për ndërtimitn e rrugës Fier – Kthesa e Patosit – Fratar, si dhe Berat – Ballaban. Para’ kanë marrë edhe firmat kontraktore për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, ndërtimin e bypass-it të Shkodrës apo rruga e Cerenecit – Peshkopi. Pjesë e shpenzimeve të ARRSH për vitin 2025 janë edhe disa kontrata për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, që u hap për qarkullimin e automjeteve në fund të vitit 2024.










