Një profesor italian i njohur i biologjisë po mbahet prej më shumë se dy muajsh në burgun e Fierit, pas një aksidenti rrugor të ndodhur më 8 gusht në aksin Levan–Fier, duke ngritur shqetësim në qarqet akademike dhe politike në Itali.

Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor në Universitetin e Aquilas dhe shkencëtar me famë ndërkombëtare, është akuzuar nga autoritetet shqiptare për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe “braktisje të mjetit”.
Rasti ka marrë jehonë në mediat italiane, të cilat paralajmërojnë se mund të shndërrohet në një çështje ndërkombëtare. Autoriteti i universitetit ku jep mësim D’Angelo ka kërkuar mbështetjen e parlamentarëve italianë, ndërsa deputeti Luciano D’Alfonso i ka dërguar një memo presidentit Bajram Begaj, duke e konsideruar të papranueshme mbajtjen në burg të profesorit.
“Profesori është vendosur menjëherë në dispozicion të autoriteteve shqiptare. Masa e marrë ndaj tij është joproporcionale dhe e papranueshme”, thekson D’Alfonso në dokumentin e dorëzuar më 19 shtator.
Sipas dëshmive të cituara në media, makina e profesorit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të ulët kur është përplasur me një automjet tjetër tip Mercedes, i drejtuar nga shtetasi shqiptar E.S., që dyshohet se ka humbur kontrollin.
Aktualisht, nuk dihet se cila do të jetë përgjigjja e autoriteteve shqiptare, por presioni nga pala italiane për lirimin e profesorit është rritur ndjeshëm, duke e kthyer rastin në një test për marrëdhëniet mes dy vendeve.