Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u zhvillua sot ceremonia e daljes në pension të kryekomisar Janaq Zarkës, një prej figurave më të respektuara të uniformës blu, pas 41 viteve shërbim në sektorë kyç si Policia Shkencore, Hetimi i Krimit dhe Sektori i Qarkullimit Rrugor.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i dorëzoi Zarkës “Certifikatën e Karrierës” si vlerësim për kontributin e gjatë e të ndershëm. “Ky është një nder i veçantë. Kjo certifikatë është vetëm një pikë uji në detin e kontributeve të tij për Policinë e Shtetit”, u shpreh Proda.
Edhe drejtori i DVP Vlorë, Elidon Çela, e cilësoi Zarkën si një figurë me gjurmë të pashlyeshme në Policinë e Vlorës, duke e përshkruar si të qetë, profesionist dhe të përkushtuar.
Në fjalën e tij, kryekomisar Zarka falënderoi kolegët dhe drejtuesit, duke theksuar: “Policia ka qenë jo vetëm vendi im i punës, por edhe familja ime e dytë. Jam krenar për gjithçka kam dhënë dhe mësuar gjatë këtij rrugëtimi.”