Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka zhvilluar disa veprime procedurale, duke arrestuar dhe proceduar penalisht disa shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin A. Gj., 19 vjeç, banues në Fier, si dhe referuan materialet në Prokurori për një 17-vjeçar. Ky i fundit u kap duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi, ndërsa gjatë kontrollit, pasagjerit A. Gj. iu gjet një përforcues grushti.
Po nga këta specialistë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për pesë shtetase të mitura, 15 vjeçe, të cilat dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me një bashkëmoshatare, për motive të dobëta.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori për dy shtetas. Bëhet fjalë për R. Ç. (L.), 32 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe për Dh. H., 29 vjeç, banues në fshatin Novoselë të Vlorës, te i cili u gjet një sasi e dyshuar narkotike kokainë.
Lëndët narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.










