BRUKSEL – Në Asamblenë vjetore të Shoqatës së Gazetarëve Europianë (AEJ), të mbajtur në Bruksel,Arber Hitaj u rizgjodh në krye të organizatës Presidenti aktual, i cili mori një mandat të ri me 90% të votave, një mbështetje edhe më e fortë se herën e kaluar.
Rizgjedhja e tij u vlerësua si një konfirmim i besimit nga qindra gazetarë të seksioneve të ndryshme të AEJ në gjithë kontinentin. Ai e cilësoi këtë votë si “një privilegj, një përgjegjësi të madhe dhe një moment të rëndësishëm edhe për Shqipërinë”.
Në fjalën e tij para delegatëve, Presidenti i AEJ Arber Hitaj theksoi angazhimin për forcimin e lirisë së medias, luftën kundër dezinformimit dhe mbrojtjen e gazetarëve që përballen me presione dhe sulme. Ai nënvizoi se edhe pse situata e medias në Europë po përballet me sfida, modeli europian mbetet më i forti dhe më i besueshmi për mbrojtjen e gazetarëve.
Gjatë punimeve të Asamblesë, Hitaj prezantoi vizionin për mandatin e ri, duke njoftuar synimin për zgjerimin e AEJ me seksione të reja në Europën Veriore dhe zona të tjera të kontinentit, për ta bërë zërin e organizatës edhe më gjithëpërfshirës.
Po ashtu, u zgjodh edhe ekipi i ri drejtues i AEJ-së, me tre zëvendëspresidentë: Javier Martín-Domínguez nga Spanja, Otmar Lahodynsky nga Austria dhe Irina Nedeva nga Bullgaria, si dhe anëtarët e rinj të bordit drejtues Catalin Teodor (Rumani) dhe Ivan Brada (Sllovaki).
Në mbyllje të Asamblesë, Presidenti falënderoi delegatët për besimin dhe Shoqatën e Gazetarëve Europianë në Belgjikë për organizimin e eventit, duke theksuar se “sot nis një kapitull i ri për një AEJ edhe më të fortë dhe një Europë edhe më të sigurt për median”.











