Polonia është bërë vendi i parë në botë që ka ngritur një komision qeveritar për të hetuar çështjen e Jeffrey Epstein, duke e lidhur atë me dyshime serioze për përfshirje të inteligjencës ruse.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se dokumentet e publikuara deri më tani përmbajnë mbi 1,000 dosje që lidhen drejtpërdrejt me Vladimir Putinin dhe rreth 9,000 materiale të tjera që kanë lidhje me Moskën.
Sipas Tusk, FBI ka pasur informacione që sugjeronin se Epstein menaxhonte një pjesë të pasurisë së Vladimir Putinit. Ai shtoi se Epstein arkivonte të gjitha komunikimet e tij – mesazhe, email-e dhe dokumente – si dhe ruante materiale video dhe fotografi.
“Epstein regjistroi dhe filmoi liderë perëndimorë me ndikim – presidentë, kryeministra dhe drejtues të korporatave të mëdha globale”, u shpreh Tusk.
Ai shtoi se gjithnjë e më shumë ekspertë dhe komentues dyshojnë se i gjithë rrjeti mund të ketë qenë një operacion i mirëorganizuar i shërbimit sekret rus, i njohur si një “vazo mjalti” – një kurth për komprometimin e elitave perëndimore, veçanërisht në SHBA.
“Nuk ka nevojë të shpjegohet se sa serioz është ky rrezik për sigurinë kombëtare të Polonisë, nëse inteligjenca ruse ka qenë e përfshirë në një operacion të tillë”, deklaroi Tusk.









