Një ngjarje e rëndë është parandaluar sot në plazhin e Velipojës, ku tre shtetas rrezikonin të mbyteshin për shkak të dallgëve të forta.
Sipas njoftimit zyrtar, në sallën operative të DVP Shkodër kishte mbërritur një telefonatë për ndihmë, pasi tre persona ndodheshin në vështirësi në det, duke mos mundur të dilnin vetë në breg.
Menjëherë, në ndihmë të tyre u angazhuan shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë në bashkëpunim me Policinë Kufitare. Me anë të mjetit lundrues “Skaf”, efektivët lokalizuan personat në rrezik dhe bënë të mundur kthimin e tyre të sigurt në breg. Fatmirësisht, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Qytetarët kanë falënderuar Policinë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia bën apel që pushuesit të tregohen të kujdesshëm gjatë notit, sidomos në kushte deti të trazuar.