Policia rrit masat: 1300 efektivë në terren për protestën e sotme të opozitës

Nisur nga fakti se në protestën e fundit të organizuar nga opozita u regjistruan akte që cenuan rendin dhe sigurinë publike – ku u lënduan disa punonjës policie, u arrestuan 18 persona dhe u shpallën në kërkim 17 të tjerë – Policia e Shtetit ka rishikuar planin e masave të sigurisë.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë ditës së sotme pritet të angazhohen rreth 1300 efektivë policie nga të gjitha strukturat, të cilët do të përqendrohen kryesisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ndodhen institucionet kryesore shtetërore dhe Kryeministria, e cila do të jetë edhe pika kryesore e protestës.

Duke u bazuar në skenarin e protestave të mëparshme, ku pas tubimit para Kryeministrisë protestuesit marshojnë drejt selisë së tyre, policia ka marrë masa të shtuara sigurie edhe pranë institucioneve të tjera dhe përgjatë akseve ku pritet të kalojnë turmat.

Autoritetet paralajmërojnë tolerancë zero ndaj çdo akti dhune dhe bëjnë thirrje për protestë paqësore.