Policia Fier: Arrest për dr*gë në Patos, një i shpallur në kërkim për mashtrim dhe disa procedime penale

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier arrestuan shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Patos, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, me një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier shpallën në kërkim shtetasin A. Y., 48 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash një 46-vjeçareje, nëpërmjet mashtrimit.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-D. F., banues në fshatin Bishan, Fier, pasi për motive të dobëta, ka goditur me grushte një shtetas;
-K. Ç., 31 vjeç, dhe K. H., 28 vjeç, të dy banues në Fier, pasi për motive të dobëta, kanë goditur me grushte një 39-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit L. M., 52 vjeç, dhe P. D., 51 vjeç, pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. Gjatë konfliktit, shtetasi L. M. ka kanosur me sëpatë, shtetasin P. D., ndërsa ky i fundit i ka dëmtuar shtetasit L. M., mjetin bujqësor (zetor).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë/Dje, në fshatin Ardenicë, shtetasi A. B., 64 vjeç, duke punuar tokën, me mjet bujqësor, dyshohet se ka humbur kontrollin, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. Ai po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Fier/Rreth orës 09:00, në fshatin Levan, shtetasi P. M., 45 vjeç, ka humbur jetën, dyshohet për shkak të arrestit kardiak.