Në orët e para të mëngjesit, Policia e Shtetit ka nisur një aksion për lirimin e godinës ku ndodhen redaksitë e televizonit News24, portalit BalkanWeb dhe gazetave Panorama e Gazeta Shqiptare.
Sipas burimeve të TV News24, ndërhyrja është kryer pa paralajmërim dhe pa vendim gjykate, ndërsa uniformat blu kanë ndaluar hyrjen e gazetarëve në ambientet e punës, duke penguar aktivitetin e tyre profesional.
Në krye të operacionit ndodhet Ardi Veliu, ish-drejtues i Policisë së Shtetit, i cili aktualisht figuron si drejtues i shoqërisë private “KAYO”. Kjo kompani pretendon se godina i përket një subjekti që merret me prodhimin e armëve dhe kërkon lirimin e saj.