Pogradec, Pish -Poro e Narte kane qenë peizazhi i mbrojtur më i...

Pogradec, Pish -Poro e Narte kane qenë peizazhi i mbrojtur më i preferuar nga vizitorët 

76
SHPËRNDAJE

Liqeni i Pogradecit ka qenë peizazhi i mbrojtur më i preferuar nga vizitorët gjatë muajit tetor. Statistikat zyrtare të turizmit tregojnë se në të paktën shtatë pika, ky liqen ka kryesuar duke regjistruar rreth 35 mijë vizitorë.

Peizazhi i Mbrojtur “Liqeni i Pogradecit” sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura është pjesë e rrjetit Emerald. Ai ndodhet “nga 695-2,288 m mbi nivelin e detit. Përfshin trevën përreth liqenit të Ohrit, brenda kufirit shtetëror me Maqedoninë e Veriut. Dallohet për larminë e theksuar të peizazheve, ekosistemeve dhe kontrasteve natyrore.

Në përbërje të tij hyjnë: Liqeni i Ohrit (sit i trashëgimisë natyrore botërore), gropa e Pogradecit, pragu i Çërravës, Mali i Thatë dhe pjesa lindore e Malësisë së Mokrës”.

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit peizazhi i dytë i mbrojtur më i vizituar ka rezultuar ai Nartë-Pishë Poro (pjesa Pishë Poro) me të paktën 7500 vizitorë.

“Përbëhet nga dy pjesë: Pishë Poro dhe Narta. Akumulimi, në zonën e Pishë Poros, aktualisht, zhvillohet në të dy anët e grykëderdhjes së kanalit kullues të Povelçës, në rreth 7 km gjatësi. Për këtë flasin: ndryshimi drejt veriperëndim i grykëderdhjes së kanalit të Povelçës; rritja e shpejtë e gjerësisë së plazhit, rreth 400-500m, me ritëm vjetor të akumulimit 40-50m. Karakteri i sheshtë i plazhit, pa duna, me gjerësi shumë të madhe të pjesës sterile (pa bimësi), flet për moshën vetëm disavjeçare të tij; bunkerët, të vendosur rreth 100m larg vijës detare, aktualisht ndodhen mbi 500m, në brendësi të detit” thuhet në shpjegimin e bërë në faqen e AKZM për këtë peizazh.

I treti në listë për nga numri i vizitorëve me 6500 të tillë vjen Lumi Buna-Velipojë. “Në sipërfaqen e peizazhit të mbrojtur përfshihen 40km gjatësi të Lumit Buna dhe 8km të Lumit Drin. Sipërfaqja e përgjithshme është 21,678.85 ha. Përfshin lumin Bunë dhe zonën bregdetare-ligatinore të Velipojës. Ndodhet në fushën e Nënshkodrës, pjesën jugore të gjithë Ultësirës së Shkodrës. Ultësira është formuar në brezin e takimit të katër zonave tektonike: Alpeve, Mirditës, Krasta-Cukalit dhe Krujës, që kushtëzon larminë e ndërtimit litologjik (gëlqerore, flish e molasa) dhe strukturor” shpjegon AKZM.

Të tjerë peizazhe me një numër më modest vizitorësh janë Rushkulli, Bredhi i Drenovës-Sinicë dhe Bjeshka e Oroshit. Në total numri i vizitorëve në zonat e mbrojtura për muajin Tetor 2023 është 311,329 vizitorë të huaj dhe vendas.

S'KA KOMENTE