Seanca në Gjykatën Kushtetuese mbi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku ka hapur një nga debatet më të forta kushtetuese të viteve të fundit: a mundet drejtësia penale të nxjerrë nga funksioni një anëtar të qeverisë pa një vendim të institucioneve politike të parashikuara nga Kushtetuta?
Në qendër të kësaj përplasjeje qëndrojnë dy interpretime diametralisht të kundërta të ligjit: ai i SPAK, i përfaqësuar nga prokurori Dritan Prençi, dhe ai i Kryeministrit, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të ndalur efektet e vendimeve të GJKKO.
SPAK argumenton se në rastin e Ballukut nuk ekziston konflikt kompetencash. Sipas prokurorit Prençi, pezullimi nga detyra është një masë sigurimi personale që prek vetëm individin dhe jo Këshillin e Ministrave si organ. Ndjekja penale dhe vendosja e masave të sigurimit, sipas SPAK, janë kompetencë ekskluzive e Prokurorisë së Posaçme dhe e GJKKO, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk mund të shndërrohet në një instancë ankimi për vendime gjyqësore penale.
Në thelb, SPAK e trajton këtë çështje si një procedim penal të zakonshëm, ku statusi politik i personit nuk mund ta mbrojë atë nga masat e parashikuara nga ligji.
Nga ana tjetër, kërkesa e Kryeministrit dhe analiza e Gjykatës Kushtetuese mbështeten në një parim themelor të rendit kushtetues: ndarjen e pushteteve dhe mënyrën si formohet e ndryshon përbërja e qeverisë. Qeveria është një organ kolegjial që merr legjitimitetin nga Kuvendi dhe ministrat emërohen e shkarkohen vetëm nga Presidenti me propozim të Kryeministrit. Asnjë organ tjetër nuk ka kompetencë të ndryshojë përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Për këtë arsye, kur një gjykatë pezullon një ministër, ajo nuk po merr thjesht një masë ndaj një individi, por po ndërhyn drejtpërdrejt në funksionimin dhe përbërjen e pushtetit ekzekutiv. Ky është thelbi i konfliktit të kompetencave.
Pretendimi i SPAK se “masa prek vetëm individin” nuk qëndron në të drejtën kushtetuese. Një ministër nuk është një funksionar i zakonshëm administrativ, por pjesë e një organi politik kushtetues. Largimi i tij nga detyra, edhe i përkohshëm, ndryshon balancën dhe funksionimin e qeverisë, njësoj siç do të ndodhte nëse një gjykatë do të pezullonte një deputet nga ushtrimi i mandatit.
Rreziku institucional i kësaj qasjeje është i madh. Nëse pranohet logjika e SPAK, prokuroria dhe gjykatat do të kishin fuqinë të nxirrnin nga funksioni ministra dhe të ndikonin drejtpërdrejt në jetën politike të vendit, pa asnjë votë të Kuvendit dhe pa asnjë akt të Kryeministrit. Një pushtet jo i zgjedhur do të kishte kështu në dorë stabilitetin e qeverisë, duke përmbysur arkitekturën e demokracisë parlamentare.
Gjykata Kushtetuese nuk po gjykon nëse Belinda Balluku është apo jo penalisht përgjegjëse. Ajo po gjykon një çështje shumë më themelore: a mundet drejtësia penale të ndryshojë përbërjen e qeverisë.
Në këtë përplasje, juridikisht, argumenti i Kushtetutës është më i fortë se ai i SPAK. Hetimi penal duhet të vazhdojë, por pezullimi i një ministri nga gjykata përbën shkelje të ndarjes së pushteteve dhe një konflikt të qartë kompetencash. Shteti ligjor nuk mbrohet duke lejuar që drejtësia të rrëzojë qeverinë, por duke garantuar që secili pushtet të veprojë brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta
© NeoAlb










