“Përplasja në PS? Balla: Vendimin e marr me grupin, Spiropali kërkon mbledhje urgjente”

Një diskutim politik është hapur brenda Partisë Socialiste pas mungesës së Elisa Spiropalit në seancën parlamentare ku ishte në fokus Belinda Balluku.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh gjatë një konference për mediat se nuk do të marrë një vendim i vetëm për këtë çështje, por do ta diskutojë atë me deputetët e grupit.

“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Do të pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, deklaroi Balla, i pyetur nga gazetarët.

Nga ana tjetër, Spiropali reagoi publikisht përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se është dakord me konsultimin dhe duke i kërkuar Ballës të thërrasë mbledhjen e grupit.

“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë”, shkruan Spiropali.

Ajo theksoi se vendimmarrja kolektive është thelbësore për funksionimin e grupit parlamentar dhe për legjitimitetin politik të qëndrimeve të tij.

“Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt”, përfundon reagimi i saj.

Çështja pritet të diskutohet në vijim në grupin parlamentar socialist, për të përcaktuar një qëndrim zyrtar lidhur me situatën.