Ballina Shqiperia ime Pedonale e re brenda Parkut ne KARAVASTA,shpallet fituesi për hartimin e projektit

Pedonale e re brenda Parkut ne KARAVASTA,shpallet fituesi për hartimin e projektit

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, pritet të ketë një pedonale të re. Kjo e fundit do të jetë zgjatim i asaj ekzistuese që përfundon pranë kullës 360 gradë që ndodhet në zemër të këtij parku. 

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura njoftoi se ka shpallur fituesin për kantatën “ Hartim Projekti- Ndërtimi i pedonales në Divjakë Karavasta”, kompaninë “INFRATECH”.  Sipas AKZM kjo pedonale është shumë e domosdoshme, pasi u vjen në ndihmë të gjithë vizitorëve të cilët zhvillojnë ecje pasi janë komplet të ‘përjashtuar’’ nga rruga automobilistike dhe ndihen akoma edhe më të sigurt gjatë vizitës në park.

“Duke qenë se rruga automobilistike është i vetmi akses i futjes në zonën e parkut për të vazhduar me tej deri në bregdetin e plazhit të Divjakës, lind nevoja për një zgjatje të kësaj pedonaleje ekzistuese. Duke filluar nga përfundimi i pedonales ekzistuese në Kullën 360o ose pranë Zyrave të AdZM Fier dhe për të vazhduar paralel me rrugën automobilistike në të djathtën e saj, duke gjarpëruar midis drurëve të pishës mesdhetare pa i dëmtuar dhe pa prerë asnjë dru deri në zonën që njihet ndryshe edhe si Qendra e Parkut pranë Divjaka Resort” thuhet në dokumentet e procedurës.

Pedonalja do të jetë me punim druri duke e bërë atë të përshtatshme për një park kombëtar dhe duke eliminuar kështu ndikimet negative në mjedis.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një ndër pikat e rëndësishme turistike që vizitohet përgjatë vitit. Në vitin që lamë pas ajo u vizitua nga 274 mijë vizitorë vendas dhe 105 mijë të huaj.

Sipas AKZM Zona e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta konsiderohet si një zonë me vlera të veçanta për natyrën dhe biodiversitetin. Ky park shquhet për popullatë të shumëllojshme floristike e faunistike, endemike, subendemike, të rralla, të kërcënuara e të rrezikuara në zhdukje. /Monitor