PD nuk do të shpallë kandidat nga radhët e saj për Tiranën. Ky ka qenë vendimi i marrë nga Kryesia e PD e cila u mblodh këtë pasdite me rend dite zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit. Kryetari i PD, Sali Berisha tha në një prononcim për mediat se opozita do të mbështesë kandidatët e pavarur për bashkinë e kryeqytetit dhe jo një figurë politike.
I njëjti model, tha Berisha, do të ndiqet edhe me 5 bashkitë e tjera.
Lideri i opozitës ftoi intelektualët dhe ekspertët që duan të kandidojnë në zgjedhjet e pjesshme, të paraqesin interesin e tyre pranë PD, për të hyrë në garën elektorale të muajit të ardhshëm.
“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës por edhe në bashkitë e tjera. Ata që janë të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës të masin forcat në garë në interesin më të mirë”, tha Berisha.