PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen për financimin e koncertit të Kanye West me 4.2 mln euro

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, duke i akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në lidhje me financimin prej 4.2 milionë euro të koncertit të artistit Kanye West (YE).

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, kallëzimi lidhet me Aktin Normativ nr. 3, datë 6 korrik 2026, me të cilin Këshilli i Ministrave miratoi financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West në Tiranë, me një fond prej 400 milionë lekësh (rreth 4.2 milionë euro), nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit.

PD pretendon se përdorimi i fondit rezervë për një aktivitet privat bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pasi ky fond, sipas saj, është parashikuar vetëm për situata të paparashikuara si fatkeqësi natyrore, epidemi apo emergjenca civile. Opozita argumenton gjithashtu se vendimmarrja ka cenuar parimet e konkurrencës së lirë dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Në kallëzim, demokratët kërkojnë nga SPAK të hetojë përgjegjësinë penale të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Gonxhja për mënyrën e miratimit dhe përdorimit të fondeve publike për këtë aktivitet.

Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Kryeministria apo Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit lidhur me kallëzimin e depozituar nga Partia Demokratike.