Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, i ka ofruar dorëheqjen drejtuesve të Federatës së Futbollit të Serbisë pas humbjes 0-1 ndaj Shqipërisë në Beograd. Sipas mediave serbe, Stojkoviç nuk do të udhëtojë me ekipin në Andorra, ku Serbia do të zhvillojë ndeshjen e radhës eliminatore.
“Kisha një bisedë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kam paraqitur dorëheqjen. Nuk e prisja humbjen ndaj rivalit direkt. Marr përgjegjësinë dhe jam unë fajtori i vetëm. Më vjen keq që humbëm ndeshjen, por futbolli kështu është,” – deklaroi Stojkoviç për mediat serbe.
Humbja ndaj Shqipërisë së Sylvinhos ka shkaktuar tronditje në kampin serb, ndërsa nuk është hera e parë që kuqezinjtë shkaktojnë “tërmete” në pankinat kundërshtare. Kujtojmë se Polonia dhe Çekia kanë ndërruar trajnerë menjëherë pas disfatave ndaj Shqipërisë në eliminatoret e mëparshme.