Ambasada e SHBA në Tiranë: Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare për të zbutur rreziqet e sigurisë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar këtë të enjte në lidhje me deklaratën e një dite më parë për kujdes ndaj kërcënimeve të mundshme që lidhen me Iranin.
Në një përgjigje zyrtare, zyra e shtypit e ambasadës theksoi se siguria e qytetarëve amerikanë mbetet prioriteti kryesor i administratës amerikane.
“Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë,” thuhet në reagim.
Ambasada vlerëson gjithashtu bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në çështjet e sigurisë, duke nënvizuar angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve shqiptare për garantimin e sigurisë së qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve në vend.
Më tej, bëhet e ditur se informacion shtesë do të publikohet sapo të jetë i disponueshëm.










