Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka intensifikuar kontrollet në terren për të verifikuar kontratat e energjisë elektrike, me qëllim kalimin e subjekteve në kategorinë e saktë të tarifimit sipas sistemit të ri të pagesës.
Gjatë inspektimeve janë konstatuar dhjetëra subjekte private, kryesisht biznese shërbimi, që vijonin të faturonin energjinë si konsumatorë familjarë, me tarifë 8.5–9.5 lekë/kWh, ndërkohë që për bizneset tarifa e miratuar është 14 lekë/kWh.
Sipas FSHU, shkaku lidhet me kontrata të vjetra ose me mungesë përditësimi, ndonëse objektet përdoren realisht për veprimtari ekonomike. Për këtë arsye, OSHEE ka nisur një proces të gjerë verifikimi në të gjithë vendin.
Kompania u bën thirrje të gjitha bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar, të kontrollojnë kategorinë e kontratës së tyre dhe të aplikojnë për ndryshim nëse janë të regjistruar gabimisht.
Procedura përfshin plotësimin e një kërkese për ndryshim kategorie dhe dorëzimin e dokumentacionit që vërteton aktivitetin ekonomik, si NIPT ose ekstrakti nga QKB. Aplikimi mund të kryhet pranë sporteleve të Kujdesit ndaj Klientit ose online në platformat zyrtare të OSHEE-së.
FSHU thekson se bashkëpunimi me grupet e kontrollit është i domosdoshëm për të shmangur penalitetet dhe për të garantuar një sistem tarifimi të drejtë dhe transparent për të gjithë konsumatorët.










