Një mesazh solidariteti ndërkombëtar ka mbërritur për punëtorët shqiptarë të sektorit të naftës. Olof Palme International Center, organizata suedeze që mbështet lëvizjet sindikale dhe të drejtat e punëtorëve në mbarë botën, i ka dërguar një letër zyrtare Kryeministrit të Shqipërisë, në mbështetje të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur dhe punëtorëve të Bankers Petroleum, të cilët ndodhen në grevë prej disa ditësh.
Në letrën drejtuar qeverisë shqiptare, Olof Palme Center thekson nevojën urgjente për një dialog të vërtetë social, respektimin e marrëveshjeve kolektive të punës dhe garantimin e një trajtim të drejtë e dinjitoz për punëtorët e industrisë së naftës.
Sipas organizatës suedeze, këta punëtorë përfaqësojnë “shtyllën e një sektori jetik për ekonominë kombëtare”, ndaj kërkesat e tyre për kushte të drejta pune dhe siguri ekonomike duhet të dëgjohen me përgjegjësi.
Ky reagim i një institucioni të njohur ndërkombëtar shihet si një sinjal mbështetjeje për kauzën e punëtorëve shqiptarë dhe si presion moral ndaj qeverisë për të garantuar të drejtat sindikale dhe sociale të tyre.
Sindikatat shqiptare e kanë mirëpritur këtë qëndrim, duke e cilësuar si “një dëshmi se zëri i naftëtarëve po dëgjohet edhe përtej kufijve të vendit”.