Ballina Shqiperia ime Nis të hënën ndërhyrja në aksin Vorë–Ura e Dajlanit, parashikohen bllokime të...

Nis të hënën ndërhyrja në aksin Vorë–Ura e Dajlanit, parashikohen bllokime të përkohshme trafiku

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) do të nisë ditën e hënë, më 13 tetor 2025, zbatimin e projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike” në aksin Vorë–Ura e Dajlanit, një nga rrugët më të ngarkuara të vendit.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërhyrja ka si synim përmirësimin e cilësisë së qarkullimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, ndërsa do të shoqërohet me bllokime të përkohshme të trafikut në drejtimin Vorë–Durrës, në disa segmente të ndara si më poshtë:

  • Vorë – Maminas
  • Maminas – Sukth
  • Sukth – Fllakë
  • Fllakë – Mbikalimi i Shkozetit
  • Mbikalimi i Shkozetit – Ura e Dajlanit

Çdo segment do të ketë kohëzgjatje punimesh nga 1 deri në 2 ditë, në varësi të kushteve teknike dhe motit.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që gjatë ditëve të ndërhyrjes të përdorin rrugën alternative Vorë – Maminas – Katër rrugët e Shijakut – Durrës, për të shmangur vonesat dhe për të lehtësuar qarkullimin.

Pas përfundimit të punimeve në kahun Vorë–Durrës, ndërhyrja do të vijojë edhe në drejtimin e kundërt Ura e Dajlanit–Vorë, me të njëjtën ndarje segmentesh dhe afate kohore.

Në njoftimin e saj, ARRSH thekson se këto punime janë pjesë e programit të ndërhyrjeve emergjente për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore kombëtare, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për çdo vështirësi të përkohshme gjatë zbatimit të projektit.