Ndryshojnë rregullat e udhëtimit drejt Europës

Bashkimi Europian pritet të vendosë plotësisht në funksion nga 10 prilli 2026 sistemin e ri të hyrje-daljeve (EES), duke sjellë ndryshime të rëndësishme për udhëtarët nga vendet jashtë BE-së.

Sistemi i ri do të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaportë me regjistrime digjitale, duke përfshirë të dhëna biometrike si fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, si dhe informacionet personale nga dokumenti i udhëtimit. Ai do të zbatohet në 29 vende europiane për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Sipas Komisionit Europian, EES synon të rrisë sigurinë, të përmirësojë menaxhimin e kufijve dhe të luftojë abuzimet me qëndrimet dhe dokumentet. Deri më tani, mijëra persona janë refuzuar në kufi për shkak të dokumenteve të parregullta apo mungesës së justifikimit për udhëtimin, ndërsa qindra të tjerë janë identifikuar si rrezik për sigurinë.

Megjithatë, zbatimi i plotë i sistemit pritet të shoqërohet me vonesa në aeroporte, sidomos gjatë muajve të parë. Në oraret me fluks të lartë, pritjet mund të zgjasin deri në disa orë, pasi çdo udhëtar duhet të regjistrohet në sistem dhe të japë të dhënat biometrike.

Autoritetet rekomandojnë që udhëtarët të paraqiten në aeroport të paktën 1.5 deri në 2 orë më herët se zakonisht për të shmangur vonesat. Të dhënat e regjistruara do të ruhen për tre vite, duke lehtësuar procedurat në udhëtimet e ardhshme.

Nga ky sistem përjashtohen shtetasit e BE-së dhe zonës Shengen, si dhe personat me leje qëndrimi apo viza afatgjata. Irlanda dhe Qiproja nuk do ta zbatojnë EES dhe do të vijojnë me kontrollin manual të pasaportave.

Ndërkohë, BE po punon edhe për një aplikacion që mundëson regjistrimin paraprak të pjesshëm, me qëllim përshpejtimin e procedurave në kufi, i cili pritet të zgjerohet gradualisht në të gjitha vendet anëtare.