Numri i përfituesve të ndihmës ekonomike ka pësuar ulje përgjatë vitit aktual. Në periudhën janar-shkurt, numri i familjeve në skemë ishte 46.096, duke rënë gradualisht deri në 43.047 përfitues, pra 3049 familje më pak të përfshira në skemat e mbështtejes.
Ndërkaq, për individët përfitues ka një rritje të lehtë, nga 2694 në periudhën janar-shkurt, në 2844 në periudhën korrik-gusht, pra 150 individë më shumë.
Edhe sa i përket kompensimit të energjisë elektrike, nga janari në gusht ka 1405 më pak familje përfituese. E gjithë kjo ulje e përfituesve të ndihmës ekonomike, i ka kursyer buxhetit të shtetit 65 milionë lekë.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, qarku i Elbasanit mban vendin e parë për numrin më të madh të përfituesve, me mbi 10 mijë familje të regjistruara në fillim të vitit, edhe pse me një rënie të lehtë gjatë muajve të fundit.
Në vend të dytë renditet Dibra, e ndjekur nga Kukësi dhe Korça. Në anën tjetër, Gjirokastra, Durrësi dhe Berati janë qarqet me numrin më të ulët të familjeve përfituese, duke reflektuar një situatë më të qëndrueshme ekonomike.
Gjatë vitit të kaluar nga buxheti i shtetit u dhanë rreth 15,489 miliardë lekë për ndihmën ekonomike. Ndërkohë, që për këtë vit pritet të ketë një rrritje të lehtë dhe fondi I parashikuar arrin në 15,539 miliardë lekë dhe vetëm fjatë 8 muajve të parë të vitit 2025 janë shpenzuar 14,746 miliardë lekë.
Skema e Ndihmës Ekonomike mbetet shtylla kryesore e mbrojtjes sociale në vend. Ajo synon të zbusë dhe të lehtësojë varfërinë, duke ofruar mbështetje financiare dhe sociale për familjet dhe individët në nevojë, si dhe për t’i ndihmuar ata të riintegrohen në jetën ekonomike dhe shoqërore.
Në vitet e fundit, qeveria ka ndërmarrë një sërë nismash për të reduktuar varfërinë përmes rritjes së punësimit, kurseve të formimit profesional dhe zhvillimit të aftësive të reja për përfituesit e ndihmës.
Në rregulloren e skemës theksohet se një individ që refuzon përfshirjen në kurse trajnimi profesional ose nuk pranon ofertat e punësimit të ofruara nga zyrat e punës, përjashtohet automatikisht nga përfitimi i ndihmës ekonomike. Po ashtu, personat që nuk regjistrohen si punëkërkues të papunë apo të vetëpunësuar në sistemin zyrtar, pwrjashtohen nga skema.