Ballina Shqiperia ime Ndërtim pa leje brenda spitalit, Prokuroria Fier dërgon në gjyq ish-drejtorin për...

Ndërtim pa leje brenda spitalit, Prokuroria Fier dërgon në gjyq ish-drejtorin për ‘Shpërdorim detyre’ dhe 4 persona të tjerë për ‘Falsifikim të dokumenteve’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin P.V., i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe shtetasit Xh.B., J.Sh., K.L. dhe A.Sh., të akuzuar për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.831 të vitit 2021 u provua se:

-​ I pandehuri P.V., në cilësinë e drejtorit të Spitalit “Ihsan Çabej” Lushnjë, urdhëroi ndërtimin e shtesës së quajtur “ura lidhëse mes pavioneve të patologjisë dhe të infektivit” pa marrë leje ndërtimi nga organet kompetente, duke ndryshuar destinacionin e fondit buxhetor të parashikuar për mbulimin e zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, pa ndjekur procedurën përkatëse ligjore dhe duke shmangur kryerjen e procedurës së prokurimit publik. Gjithashtu, situacionet e punimeve që sipas këtij të pandehuri ishin kryer tek “ura lidhëse”, përmbajnë më shumë punime se ato të realizuara realisht, çka ka sjellë një përfitim të padrejtë për shoqërinë “D…” dhe dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. 

-​Të pandehurit Xh.B., J.Sh., K.L. në cilësinë e anëtarëve të komisionit të ndjekjes së zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, kanë hartuar procesverbalin e datës 17.02.2021 mbi punimet e kryera në magazinën e oksigjenit si dhe procesverbalin e datës 30.04.2021 për punimet e kryera në pavionin e infektivit; asnjë prej të cilave në fakt nuk është kryer. 

-​I pandehuri A.Sh. në cilësinë e drejtuesit teknik të shoqërisë dhe të inxhinierit zbatues të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, të lidhur nga shoqëria “D…” shpk, ka hartuar situacionin përfundimtar për punimet e kryera gjatë periudhës 03.01.2021 deri 25.05.2021, situacionet e punimeve të kryera në magazinën e oksigjenit dhe tek infektivi i vjetër, si dhe bashkë me komisionin e ngritur nga Spitali “Ihsan Çabej” Lushnjë, kanë hartuar procesverbalin e datës 17.02.2021 mbi punimet e kryera në magazinën e oksigjenit si dhe procesverbalin e datës 30.04.2021 për punimet e kryera në pavionin e infektivit; të cilat në fakt nuk janë kryer. Mbi bazën e këtyre situacioneve dhe procesverbaleve ka dalë edhe urdhri i shpenzimit nr.711, datë 29.12.2021, për pagesën e shoqërisë “D…” shpk.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.