Ballina Shqiperia ime Naftaret e “Bankers” ne diten e 11-të në grevë urie

Naftaret e “Bankers” ne diten e 11-të në grevë urie

Screenshot

Prej 11 ditësh, naftëtarët e kompanisë “Bankers Petroleum” vijojnë grevën e urisë, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës. Ata i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të marrë roli ndërmjetësues, pasi situata po bëhet çdo ditë e më e rëndë.

“Presim që shteti të ndërhyjë, sepse bëhet fjalë për shumë punonjës që ndodhen jashtë dhe për 10 grevistët që janë brenda. Kushtet janë të rënda, dhe përveç shtetit askush nuk mund ta zgjidhë këtë,” – shprehet një qytetar që mbështet protestën.

Kushtet ekonomike i detyrojnë disa të kthehen në punë

Një pjesë e punonjësve janë detyruar të ndërpresin grevën për shkak të vështirësive ekonomike, edhe pse e konsiderojnë vendimin të padrejtë.

“Shumë njerëz janë kthyer në punë nën presion. Na kërkojnë ndjesë, por thonë se nuk munden më të përballojnë,” – rrëfen një prej naftëtarëve.

Shëndeti i grevistëve në përkeqësim

Burime pranë punonjësve bëjnë me dije se 10 grevistët ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore. Ata po përpiqen të qëndrojnë me ilaçe të blera me ndihmën e kolegëve jashtë, ndërsa raportohen raste të lodhjes fizike dhe dehidratimit.

“Nuk jemi mirë, gjendja jonë është më e rëndë se duket, por po rezistojmë me vështirësi,” – shprehet një prej grevistëve.

Letra drejtuar institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare

Naftëtarët kanë njoftuar përmes shkresave Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Inspektoratin e Punës, Komisionerin për Anëtarësim Europian, si dhe organizata ndërkombëtare, duke kërkuar mbështetje dhe ndërhyrje.

“Kemi dërguar letër edhe kryeministrit dhe ministres përkatëse. Këto janë çështje sindikale që lidhen me procesin e integrimit europian. Nëse nuk zgjidhen, kjo është një goditje për vetë standardet që kërkon BE,” – theksojnë grevistët.

“Nafta është bekim, jo mallkim”

Pavarësisht situatës, grevistët shprehen të vendosur të mos tërhiqen.

“Për sa kohë kemi hyrë në këtë grevë, nuk do të hedhim hapa pas. Nafta duhet të jetë bekim për vendin tonë, jo mallkim,” – përfundojnë ata.