Nafta, rritja e cmimeve dhe kontrolli nga Bordi i nxjerr tregtuesit me...

Nafta, rritja e cmimeve dhe kontrolli nga Bordi i nxjerr tregtuesit me humbje

379
SHPËRNDAJE

Për herë të parë në 2022 nuk ka asnjë kompani tregtuese të naftës në renditjen e më të mëdhenjve sipas fitimeve, ndonëse ata mbizotërojnë në listën sipas xhiros.

Historikisht, tregtimi me shumicë dhe pakicë i naftës është një nga aktivitetet më pak fitimprurëse në vend, sa i përket normës së fitimit.

Por në vitin 2022, pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar me humbje, ose me fitime minimale. Operatorët e shpjegojnë këtë ecuri me disa faktorë.

-Së pari, tregu pësoi një goditje në fillim të marsit, pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke rritur çmimet në bursa dhe duke detyruar operatorët të ndryshonin burimet e furnizimit, me kosto të shtuara.

Çmimet në tregun vendas kërcyen deri në 260 lekë, nga 185 lekë përpara fillimit të konfliktit në janar.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të grupit të shërbimeve personale ndaj mjeteve të transportit ishte 23% në vitin 2022, nga 6.7% që ishte ndryshimi gjithsej i inflacionit dhe i dyti me zgjerimin më të lartë nga të gjitha grupet, pas vajrave dhe yndyrave (24.2%).

Operatorët shpjegojnë se sa më i lartë çmimi në bursë, aq më pak fitojnë të gjithë, përveç prodhuesit, pasi shtohet kosto e parasë.

Kur çmimi është i ulët, kompanitë kanë më shumë mundësi të manovrojnë me çmimet, pasi dhe reflektimi i rënies së tyre në bursa është pak më i ngadaltë.

-Së dyti, nga muaji mars u krijua Bordi i Transparencës, një mekanizëm qeveritar që vendosi çmime tavan për tregtimin e naftës, benzinës e gazit, duke u nisur në përllogaritjen e kostove nga importi, kalimi në doganë e deri te konsumatori fundor.

Bordi tha se në vendimet e tij u bazua në lëvizjet e bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Operatorët u ankuan se kjo ndërhyrje, ku çmimet përcaktoheshin në një frekuencë disaditore, uli fleksibilitetin e tregtuesve për të blerë në bursa kur çmimet ishin të favorshme.

-Së treti, çmimet e larta ndikuan në rënien e konsumit të karburanteve. Të dhënat nga Ministria e Financave treguan se importet e karburanteve në sasi ranë me 9% në vitin 2022, në raport me vitin e mëparshëm.

Edhe në vitet e mëparshme, tregtuesit e karburanteve kanë raportuar norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-3%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4–6%.

Të dhënat në vit kanë treguar se operatorët kanë rritje të normave të fitimit në vitet kur tendenca e çmimeve të naftës është në ulje, pasi reduktimi në tregun vendas është më i ngadaltë se në tregjet globale.

E kundërta ndodh kur çmimet në bursa janë në rritje, normat e fitimit përgjithësisht nuk shënojnë rritje.

Sipas operatorëve, normat e ulëta të fitimit në këtë sektor lidhen me disa faktorë, si tendenca globale ku çmimi lëviz me cent, konkurrenca e lartë në tregun e brendshëm ku ka shumë operatorë,

numri i lartë i pikave të karburantit në raport me konsumin dhe automjetet që qarkullojnë, kosto e lartë e investimeve në depozita.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, kapaciteti i depozitave bregdetare është tre herë më shumë sesa kërkesa reale, në rreth 300-400 milionë litra nga Vlora në Shëngjin, nga 60 milionë litra, që janë të nevojshme.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve thotë se, krahas faktorëve të tjerë, që ndikojnë në normat e ulëta të fitimeve, ndërhyrjet e Bordit kanë bërë që pjesa më e madhe e operatorëve në vitin 2022 të rezultojnë me humbje.

Dy faktorë të tjerë që kanë goditur fitimet e tregtuesve, sipas Shoqatës, janë diferenca e çmimeve me rrethet kufitare,

çka bën që konsumatorët të blejnë naftë jo në Shqipëri dhe kontrabanda që bëhet me peshkarexhat, e cila rrit konkurrencën dhe detyron importuesit të ulin çmimet.  

S'KA KOMENTE