Çmimet ndërkombëtare të naftës janë rritur ndjeshëm, duke prekur sërish nivelin e 100 dollarëve për fuçi, si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe shqetësimeve për furnizimet globale me energji.
Nafta Brent u rrit me 2.3%, duke arritur përkohësisht në 100 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u tregtua rreth 94 dollarë për fuçi. Që nga fillimi i vitit, të dy treguesit kanë shënuar një rritje prej më shumë se 60%.
Analistët vlerësojnë se një nga faktorët kryesorë që po ushqen rritjen e çmimeve është situata në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin e naftës në shkallë globale. Zhvillimet ushtarake në rajon kanë shtuar pasigurinë për qarkullimin normal të tankerëve dhe furnizimet ndërkombëtare.
Rritja e çmimeve të naftës po reflektohet edhe në tregun e karburanteve, duke shtuar kostot për konsumatorët dhe presionin inflacionist në shumë ekonomi të botës.
Ndërkohë, tensionet gjeopolitike kanë ndikuar edhe në tregjet financiare, ku investitorët po monitorojnë nga afër situatën në Lindjen e Mesme dhe efektet që ajo mund të ketë mbi stabilitetin e tregjeve energjetike globale.










