Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vazhdon disbursimet për fermerët në shkallë vendi, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025.
Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, në një intervistë për ATSH-në, bëri të ditur se në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025, për masën e naftës, deri tani janë disbursuar 14 265 fermerë në shkallë vendi.
Kuçi tha se, në total për këte masë mbështetëse kanë aplikuar 52 837 fermerë në shkallë vendi.
Sipas saj, këtë vit mbështetja për fermerët realizohet përmes pagesave, të cilat kalojnë drejtpërdrejt në llogaritë bankare të aplikuesve, sipas sipërfaqes së mbjellë dhe normativave të konsumit të naftës për punime të mekanizuara.
Mbështetja përllogaritet në lekë për hektar, dhe përfitojnë fermerët që kanë sipërfaqe të mbjellë më të madhe se 1 hektar. Pagesat kryhen në bazë të normativave të konsumit të naftës për çdo kulturë bujqësore.
Për fermerët që zotërojnë mbi 10 hektarë tokë, skema parashikon 50% të mbështetjes për çdo hektar të mbjellë. Ndërkohë, grupimet e Bashkimit të Fermerëve përfitojnë të parët, dhe secili anëtar i grupimit merr masën e financimit në një llogari të veçantë në nivelin maksimal 100%.
Ajo theksoi se subvencioni për naftën pa taksa është një nga masat më të rëndësishme të Skemës Kombëtare 2025, pasi kontribuon ndjeshëm në uljen e kostove të prodhimit për fermerët dhe rrit efikasitetin e punimeve bujqësore, duke nxitur gjithashtu formalizimin e sektorit.
“Procesi i vlerësimit administrativ vijon në përputhje me kriteret dhe rregullat e përcaktuara në skemë, sipas afateve të parashikuara, dhe synojmë të disbursojmë mbështetjen për të gjithë fermerët përfitues”, u shpreh drejtoresha e AZHBR-së.
Gjatë vitit 2024, për skemën e naftës pa taksa aplikuan dhe përfituan 67 133 fermerë, çka tregon një angazhim të vazhdueshëm të qeverisë për mbështetjen e sektorit bujqësor, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik rural në vend.
Aplikimet për Skemën Kombëtare 2025 u mbyllën më 30 maj, me një interes të lartë të treguar nga fermerët. Janë regjistruar 69 mijë aplikime, që përfaqësojnë rreth 71 mijë fermerë, të cilët kanë aplikuar për 8 masa mbështetëse që mbulohen nga fondet e vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare.
Fondi i përgjithshëm i Skemës Kombëtare për vitin 2025 kap vlerën e 4,4 miliardë lekëve, me prioritet në financim për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, të cilat përfitojnë në masën 100% të vlerës së mbështetjes.
AZHBR njofton se procesi i disbursimeve do të vijojë gjatë gjithë vitit, me qëllim që të gjithë fermerët përfitues të përmbushin në kohë sezonin e punimeve dhe të rrisin rendimentin e prodhimit bujqësor.