Ballina Shqiperia ime Ministria e Mbrojtjes -Zjarre të qëllimshme në Vlorë/ Dyshohet grup kriminal

Ministria e Mbrojtjes -Zjarre të qëllimshme në Vlorë/ Dyshohet grup kriminal

Një seri zjarresh të qëllimshme ka përfshirë mbrëmjen e djeshme zonat e Dukatit, Drashovicës dhe Vajzës në qarkun e Vlorës, duke ngritur alarmin tek autoritetet dhe banorët lokalë.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, zjarret shpërthyen njëherazi mes orës 20:15 dhe 22:15, në një periudhë kohe kur ndërhyrja ajrore është e pamundur. Kjo, sipas autoriteteve, tregon për një planifikim të mirëfilltë kriminal.

Në Dukat të Ri, falë ndërhyrjes së shpejtë të emergjencave civile, flakët u izoluan, duke shmangur rrezikun për banesat. Por ndërkohë, tre vatra të mëdha në lartësitë e Drashovicës dhe dy në Vajzë vijojnë të jenë aktive dhe të pakontrolluara.

“Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren, duke krijuar perimetra sigurie për të mbrojtur banesat dhe pronat e qytetarëve,” thuhet në reagimin e Ministrisë.

Institucioni shton se tipologjia dhe kronologjia e zjarreve krijojnë bindjen e arsyeshme se bëhet fjalë për veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal, i cili ka zgjedhur të veprojë natën për të pamundësuar ndërhyrjen nga ajri.

Forcat operacionale mbeten të angazhuara gjatë gjithë natës për neutralizimin e plotë të flakëve.