Ministri i Bujqësisë në terren në Levan: Mbështetje për blegtorët e prekur nga permbytjet e Vjoses

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte sot në terren në Levan të Fierit, ku inspektoi nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe masat e marra për mbrojtjen e sektorit blegtoral.

Ministri u ndal pranë blegtorit Bledi Dorda, i cili mbarështon rreth 800 krerë bagëti të imta, të evakuuara në kohë falë koordinimit të strukturave vendore dhe shërbimeve përgjegjëse. Si pasojë e ndërhyrjes së shpejtë, nuk ka dëmtime në gjënë e gjallë.

Gjatë vizitës, ministri Salla garantoi se do të ofrohet mbështetje për bazën ushqimore, me qëllim sigurimin e vijimësisë së aktivitetit blegtoral dhe minimizimin e pasojave ekonomike për fermerët e prekur nga moti i keq.

“Prioriteti ynë është mbrojtja e gjësë së gjallë dhe garantimi i vazhdimësisë së punës së blegtorëve,” u shpreh ministri, duke theksuar se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Strukturat e emergjencave dhe institucionet përkatëse mbeten në gadishmëri, ndërsa u bëhet thirrje fermerëve të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo problematikë.